Grupi socialist ka përgatitur një projekt-re zolutë për dënimin e krimeve të komunizmit, paralelisht me atë që ka hartuar Partia Demokratike.Të majtët depozituan dje në Kuvend projekt-rezolutën ku veç dënimit të krimeve të komunizmit, kërkohet edhe dëmshpërblimi i shpejtë i të përndjekurve politikë. “Kuvendi nxit qeverinë dhe institucionet shqiptare që të përshpejtojnë nxjerrjen e akteve ligjore për kompensimin e gjithanshëm të shtresës së të persekutuarve politikë të diktaturës komuniste”, theksohet në të. Por në projektin e të majtëve ndryshe nga maxhoranca nuk përmendet aspak ndryshimi i datave historike apo i teksteve shkollore, ku flitet për sistemin komunist. Përkundrazi sugjerohet që akademikët edhe historianët të verifikojnë gjithçka që ka ndodhur gjatë dekadave të sundimit të diktaturës komuniste. Si dhe që e kaluara të mos mbulohet me propagandë e as të zbulohet në funksion të interesave partiake. Ndryshimi Partitë politike nuk arrijnë konsensus as për projekt-rezolutën për dënimin e krimeve të komunizmit. Pas PD-së, është grupi socialist që depozitoi dje një variant të tij për dënimin e komunizmit dhe bashkëpunëtorëve e që ndryshon shumë nga ajo çka ofron maxhoranca. Palët bashkohen në dënimin e krimeve që i kanë ardhur njerëzimit nga diktatura komuniste dhe figurën e Enver Hoxhës, por ndahen në shumë çështje të tjera. PD-ja kërkon rishikimin e datave historike që janë simbol i komunizmit, ndërsa PS-ja nuk përmend fare prekjen e datave apo historisë për këtë çështje. Ky ndryshim do të hasë debate të mëdha, pasi një prej datave të diskutuara mes partive pritet të jetë 29 nëntori, çlirimi i Shqipërisë. Prej vitesh PD ka synuar ndryshimin e datës, për të quajtur 28 nëntorin fesën e çlirimit, duke e konsideruar 29, datë kur është instaluar sistemi komunist. Nga ana tjetër, PD-ja propozon ndryshimin e teksteve shkollore, çka nuk sugjerohet nga PS-ja. Të majtët kërkojnë nxitjen e qeverisë për të dëmshpërblyer sa më shpejt të përndjekurit politikë. Projekti i maxhorancës ka një sërë pikash të tjera të cilat kërkojnë caktimin e një date për nderimin e viktimave të komunizmit dhe ngritjen e monumenteve në vendet ku janë kryer krimet. Debati Diskutimet për projektrezolutën që dënon krimet e komunizmit në Shqipëri, do të zhvillohen në seancën e ditës së hënë. Me konsensus Kuvendi vendosi ta shtyjë, në mënyrë që projekti të rishihet edhe një herë. Gjatë këtyre ditëve, PD-PS do të negociojnë për të shkrirë projektet e tyre në një të vetëm. Nga grupi socialist u caktua Kastriot Islami si personi që do të merret me negociatat me Aleksandër Biberaj, për të arritur në një projekt të vetëm. Debati mes palëve do të përqendrohet mbi data historike dhe rishikimin e teksteve, ku PD-PS ndryshojnë në qëndrim.
Rezoluta e PS n Dënon dhunimet, burgosjet dhe krimet e kryera ndaj viktimave të pafajshme nga regjimi komunist në Shqipëri dhe shpreh dhimbje, respekt e mirënjohje për vuajtjen e tyre. n Nxit qeverinë dhe institucionet që të përshpejtojnë nxjerrjen e akteve ligjore për kompensimin e gjithanshëm të shtresës së të persekutuarve politikë të diktaturës komuniste. n Kërkon hapjen e arkivave sekrete të regjimit komunist dhe krijimin e një qendre të dokumentimit të periudhës komuniste, e cila duhet të jetë një hap i parë institucional për sistemimin në vazhdimësi të të gjitha dokumenteve, fakteve e dëshmive. n Këmbëngul në skanimin e politikanëve, deputetë e drejtues institucionesh kushtetuese e publike, përmes transparencës së të kaluarës së tyre, si një domosdoshmëri për vetëpastrim moral të politikës shqiptare, ku kanë gjetur strehë një numër shqetësues bashkëpunëtorësh në krimet e komunizmit.
Rezoluta e PD n Dënon krimet që i janë shkaktuar njerëzimit nga komunizmi dhe figurën e Enver Hoxhës, si drejtuesi i sistemit më të egër diktatorial komunist në europën lindore. n Të hiqen titujt dhe dekoratat e diktatorit Enver Hoxha të dhëna nga regjimi komunist si dhe rishikimin e datave historike të cilat janë simbole të sistemit komunist. n Të hapen dosjet për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetutese, drejtuesit e sistemit të drejtësisë por edhe institucioneve të pavarura e mediave kombëtare. n Të rishikohen datat historike dhe të caktohet një datë përkujtimore për viktimat e komunizmit si dhe të rishikohen tekstet shkollore.