TiRaNaWeB.NeT -> Aktualitet -> Trafikantët e hasha****, tani me mushkë drejt Greqisë : Udhëtim në kufirin shqiptaro-grek, ku viza Shengen nuk të hyn në punë
Post Info
TOPIC: Trafikantët e hasha****, tani me mushkë drejt Greqisë : Udhëtim në kufirin shqiptaro-grek, ku viza Shengen nuk të hyn në punë
Kuqja po kalonin brezin e butë. Mos nxito shumë, te pylli djegur është rrugë e keqe e mezi kalohet”. Ky nuk është ndonjë komunikim i sofistikuar që kërkon specialistë ta çkodifikojnë. Njëri nga bashkëudhëtarët e mi, një 28 vjeçar nga fshatrat e Mallakastrës i flet me celularin e tij grek, udhërrëfyesit, një përmetari të shkathët që nuk dihet sesa herë i është dashur ta kalojë kufirin shqiptaro-grek, ditën e natën, në kohë të mirë dhe të keqe. Ndërsa “Kuqja” është emri mushkës. Mbi samar ajo ka dy çanta sportive me një ngarkesë rreth 70 kilogramë. Dielli është gati në të perënduar dhe një shtëllungë reshë vjeshte që ndodhen pas shpinës sonë, janë duke ia prerë para kohe dhe atë pak ndriçim të zbehtë që i ka mbetur. Pragperëndimi i diellit dhe ngjyrat e arta që kanë marrë pyjet e ahut në këtë mesvjeshte ia shtojnë bukurinë shpateve të pjerrta të malit Smolikas, mali i dytë më i lartë i Greqisë pas Olimpit të famshëm. Por rruga e gjatë që kemi për të bërë dhe nata që ka nisur të bjerë, nuk na lënë kohë për të shijuar këtë mrekulli të rrallë të natyrës. “Muzgu është orari më i mirë për tu nisur, në mënyrë që të jemi diku rreth orës 23.00 në zallin e Sarandaporit”, na thotë mallakastrioti. Sarandapori është një lum malor, degë e rëndësishme e lumit të Vjosës, që rrjedh nga shpatet e larta të maleve të Pindit, dhe Smolikasit. Udhëtarët Nisja jonë është bërë diku afër vendit të quajtur Çezma e Thatë, në aksin Leskovik-Gërmenj. Udhërrëfyesi dhe unë jemi nisur me një autoveturë nga Përmeti për të formuar grupin e vogël prej katër vetash pikërisht aty në një lëndinë me barë të thatë jo më shumë se 20 minuta nga rruga nacionale. Ai jep instruksionet e para dhe përcakton itinerarin me dy personat e tjerë, njërin nga fshatrat e Mallakastrës e tjetrin nga Fieri, të cilët kanë në përgjegjësi dhe ngarkesën e mushkës. “Besoj se nuk i keni vënë shumë peshë mushkës, se rruga është e keqe dhe ka pak lagështirë”, u flet udhërrëfyesi dy të rinjëve që kanë ngarkesën. “Aq sa dhe herën e kaluar”, i përgjigjet njëri nga këta të fundit. Marrshimi, nëse do ta quajmë kështu do të bëhet në këtë mënyrë. Udhërrëfyesi do të niset 10 minuta përpara, pas tij do të jetë mallakastrioti. Afro dhjetë minuta pas këtij të fundit do të niset mushka, dhe në po këtë distancë pas saj do të nisemi ne të fundit. Të dy djemtë që kanë ngarkesën dhe udhërrëfyesi kanë në përdorim celularë grekë, me të cilët do të komunikojnë gjatë gjithë kohës. Secili prej nesh është i paisur me veshje të trasha, pasi do të udhëtojmë gjatë natës dhe bën ftohtë. Si pjesë të paimeve kemi marrë dhe ndonjë mushama për të mos u lagur nëse bie shi. Në çantat e shpinës kemi pak ushqim, vezë të ziera, djath të bardhë, bukë dhe çokollata “Snikers”, të cilat na i kanë rekomanduar si mjaft produktive për udhëtime të tilla. Mushka Ndërsa presim nisjen e udhëtimit sipas radhës, kemi kohë të shkëmbejmë dy fjalë. Fieraku më thotë se kohë më parë kanë përdorur një kalë “Çil”(kështu quhen kuajt e me një ngjyrë përzierje e së bardhës me grinë). “Na e kapën dhe na bën hatanë. Na u desh goxha kohë të mësonim dhe të stërvitnim për udhëtim mushkën tjetër. Në shpinë sa do që të mbash, nuk mban dot më shumë se 20 kile në udhëtime të tilla”, qahet fieraku. Radha na vjen kur errësira ka mbuluar gjithçka nga majat e maleve deri poshtë në shtratin e Sarandaporit. Ecim pa nxituar shumë, dhe me veshët pipëz, të gatshëm për çdo të papritur. Çdo zhurmë, qoftë dhe më e vogla mund të jetë një kërcënim apo një sinjal se rreziku është afër. Pikërisht për këtë fakt nuk mund të shkëmbejmë asnjë fjalë dhe nuk mund të mbajmë ndezur elektrikët e dorës. I ftohti i natës, karakteristik për zonën nuk na bën më përshtypje, pasi rruga dhe ankthi i kalimit të kufirit na kanë nxehur. Në fillimin e viteve ’90, nëse kaloje në këto anë mund ta dalloje qartë brezin e butë apo klonin në afërsi të vijës së kufirit. Por qysh nga ajo kohë ka kaluar më shumë se një dekadë e gjysmë dhe tashmë ka mbetur tek tuk ndonjë grup bunkerësh apo llogore të bëra në shpatin e ndonjë kodre mbizotëruese. Vendi që dikur quhej pylli i djegur, tashmë është kthyer në një xhungël dhe duhet të jesh goxha i përqëndruar për të mos e humbur rrugën. Gjithsesi zhurma që nuk na ndahet dhe që e dëgjojmë herë pas here, janë hapat e mushkës ndërsa zbret ndonjë të tatëpjetë, apo zhurma që bëjnë çantat në samarin e saj kur kapin në shkurret anës rrugës. Sapo kalojmë shpatin në krah të ish-postës së vjetër të ushtrisë Greke, matanë Radatit, shquajmë dritat e Konicës. Konica shtrihet në shpatin e malit deri poshtë në shtratin e Vjosës, pak a shumë si Gjirokastra, por vilat e saj janë kryesisht të mbuluara me çati me tjegulla të kuqe. e vendosur në prehërin e maleve, Konica me rreth 7 mijë banorë është qyteti më i afërt me kufirin shqiptar. Në errësirën e natës dritat e saj vezullojnë si prushi i një zjarri të madh. Trafikantët Ashtu siç e kishim parashikuar, pas afro tre orë e gjysëm rrugë kemi mbërritur pranë zallit të Sarandaporit. Udhërrëfyesi gjen një va të gjerë ku lumi është i cekët dhe mushka të kalojë pa probleme. Në këtë kohë lumi ka më pak se kurrë ujë. Bora e maleve ka shkrirë me kohë dhe ka muaj të tërë që nuk ka patur shira të fortë. Fieraku na thotë se duhet ta kalojmë lumin para se të dalë hëna, e cila pritet të shfaqet në zenitin e qiellit mbushur gjithë yje diku rreth orës 02.00 pas mesnate. Udhërrëfyesi dhe dy djemtë e tjerë bashkë me mushkën kalojnë lumin pa probleme dhe shkarkojnë mallin matanë bregut. Pas afro një gjysmë ore udhërrëfyesi kthehet serish mbrapsht me mushkën, ndërsa dy të tjerët do të qëndrojnë deri në të gdhirë kur makina e një çobani grek që ka bagëtitë në këtë zonë, do të vijë të marrë ngarkesën, për ta çuar në destinacionin e duhur. Qëndrojmë aty deri sa del hëna dhe marrim rrugën e kthimit, por këtë radhë shtegu është i ndriçuar dhe përshkohet më lehtë. Në të zbardhur të ditës jemi serish aty ku u nisëm. Për fat kufiri grek nuk ruhet më si dikur nga ushtria. Policia e vendit fqinj nuk e merr mundimin të ngjitet lartë në shpatet e maleve, ajo ngre postblloqe në urat sipër lumenjëve apo në akset kryesore. Xhipat e saj me ngjyrë kamoflazhi janë shumë të njohur jo vetëm për udhërrëfyesin tonë që u ka shpëtuar për qime në shumë raste, por dhe për shumë emigrantë të tjerë që në pamundësi të një vize janë detyruar ta kalojnë kufirin ilegalisht. Këtë radhë bashkë me emigrantët klandestinë që çuan matanë kufirit me Bashkimin Evropian një ngarkesë prej 70 kile hashash të presuar, ishte dhe Kuqja mushka që e kanë “detyruar” të bëhet trafikante. Udhërrëfyesi na thotë se ai ka marrë 200 euro për këto shtatë orë, që në fshatin e tij në Përmet i kalon mirë disa muaj. Ndërsa dy bashkëudhëtarët tanë, korrierë të drogës, do të paguhen nga 20 euro për çdo kile, në çastin kur malli të shkojë në destinacionin e duhur. “Ne nuk jemi trafikantë droge, jemi hallexhinj që vëmë kokën në rrezik për të mbajtur familjet me bukë”, më thotë udhërrëfyesi teksa në mëngjes shijojmë një kafe turke dhe një raki të fortë në një local të vogël pranë rrapit shekull të Leskovikut
__________________
none
Page 1 of 1 sorted by
TiRaNaWeB.NeT -> Aktualitet -> Trafikantët e hasha****, tani me mushkë drejt Greqisë : Udhëtim në kufirin shqiptaro-grek, ku viza Shengen nuk të hyn në punë