Padi penale për ministrat që shkarkojnë nga puna pa arsye punonjësit e tyre dhe nuk zbatojnë ligjin për nëpunësin civil. Këtë masë do të ndërmarrë Komisioni i Shërbimit Civil (KSHC), ndaj largimeve të shumta nga puna që janë bërë nga qeveria në pushtet brenda një viti. Kryetari i këtij komisioni, Roland Përmeti tha dje për “Gazeta Shqiptare”, se në fund të vitit, do të ndërmarrë dhe masa të tilla si padi penale për ato funksionarë politikë apo publik që kanë shkelur ligjin duke larguar pa arsye nga puna shumë nëpunës dhe nuk pranojnë rikthim edhe pse ka një vendim të komisionit. “Janë bërë shumë largime në administratën qendrore doganore e tatimore dhe nga ankesat që janë bërë tek ne, rezultojnë se kanë qenë pa shkak. Edhe pse komisioni ka marrë vendime që të rikthehen në punë punonjësit që janë larguar pa motiv, vendimi ynë nuk është marrë fare parasysh edhe pse institucionet janë të detyruara ta zbatojnë. Ndaj pasi të bëjmë dhe kontrollet e verifikimet e fundit për këtë vit, sigurisht do të bëjmë padi penale. Ndërkohë që për çdo gjë ne informojmë Bankën Botërore dhe ata po e ndjekin këtë proces”, tha Përmeti. Për kryetarin është shumë shqetësues fakti që punonjësit e administratës nuk janë të sigurt në punën e tyre, sa herë që ndërron pushteti. Me ndërrimin e qeverisë, ndryshojnë një pjesë e madhe e nëpunësve dhe kjo sipas Përmetit, nuk sjell stabilitet në administratë. Shqetësimet, i janë bërë me dije edhe ndërkombëtarëve. Përmeti pohoi se për çdo problem në Komisionin e Shërbimit Civil, si për shkarkimet e padrejta, konkurset e “manipuluara” për një vend pune në administratë, e moszbatimin e vendimeve të KSHC-së për rikthim në punë të atyre që janë larguar pa të drejtë, ja përcjellë me detaje ndërkombëtarëve. Konkurset Vështirë të fitosh një vend pune në administratë, pasi fituesit mund të jenë të paracaktuar. Prej vitesh, administrata shtetërore nuk po mundet të shpëtojë nga ky fenomen. Për kryetarin e Komisionit të Shërbimit Civil, në shumë raste nuk ka arsye të shpallen fare konkurse për vende të lira pune, pasi qindra vetë janë në listat e pritjes për një vend pune të lirë. “Në kohën kur në administratë krijohet një vend i lirë pune, atëherë titullari e kërkon atë sipas specializimit që ka në listën e pritjes. Nuk ka pse kërkon të tjerë”, - theksoi Përmeti. Por asnjëherë nuk zbatohet kjo kërkesë edhe pse humbjet financiare të shtetit janë të mëdha. Zgjidhja ideale sipas tij për problemet e shumta në administratë, do të ishte krijimi i një shkolle të posaçme për nëpunësit publik. Në këtë mënyrë sipas tij, njerëzit do të ishin të kualifikuar dhe kjo do i jepte zgjidhje edhe lëvizjeve masive në administrata me ndërrimin e qeverisë. “Me një shkollë, do të kemi nëpunës të kualifikuar edhe që nuk cënohen të pushohen nga puna në momentin kur ndërron pushteti”, tha Përmeti. Edhe për këtë vit, raporti që do i përcillet kuvendit nga KSHC-ja, do të jetë kritik edhe do të nxjerrë në pah shumë probleme.
__________________
none
Page 1 of 1 sorted by
TiRaNaWeB.NeT -> Politika -> Kreu i Komisionit të Shërbimit Civil akuzon qeverinë për shkarkimet : Roland Përmeti: Për administratën, hetim ministrave