Members Login
Username 
 
Password 
    Remember Me  
Post Info TOPIC: 5 nga 7 anëtarë të Komisionit, nuk duhet të ishin në të


WebMaster

Status: Offline
Posts: 366
Date:
5 nga 7 anëtarë të Komisionit, nuk duhet të ishin në të
Permalink   


Në letër, kreu i shtetit thekson se, komisioni hetimor nuk respektoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ku theksohet se Kuvendi duhet të respektojë pavarësinë e pushteteve dhe gjatë punimeve të komisioneve hetimore. Moisiu ka shtuar se disa deputetë, anëtarë të komisionit hetimor, dhe para nisjes nga puna kanë deklaruar fajësinë e Sollakut, dhe pa pasur hetime.

Të nderuar deputetë!

Në datën 27.07.2006, Kuvendi i Republikës më ka dërguar vendimin nr. 53, me të cilin ka miratuar raportin e komisionit hetimor parlamentar për nisjen e procedurave të shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm si dhe dokumentacionin shoqërues, mbi të cilin është mbështetur ky vendim.

Çështja e Prokurorit të Përgjithshëm më ka preokupuar mjaft si një çështje e marrëdhënieve ndërinstitucionale në një demokraci të re dhe të brishtë, sikurse është kjo e jona. Edhe pse shteti funksionon si një i tërë dhe institucionet kushtetuese janë të ndërvarura nga njëri-tjetri në veprimtarinë e tyre; ajo që është e rëndësishme në shtetin e së drejtës, është që brenda kësaj ndërvarësie dhe bashkëpunimi institucional, në thelb qëndron pavarësia dhe autonomia në kryerjen e funksioneve kushtetuese. Pavarësinë e pushteteve dhe të institucioneve kushtetuese nuk e shikoj si mundësi për të mbuluar funksionimin jo të mirë të tyre, apo si një përjashtim nga përgjegjësitë dhe kontrolli. Pavarësinë dhe balancimin e pushteteve e shoh si mundësi për administrimin e shtetit mbi parimet mbi të cilat funksionon shteti i së drejtës.

Nisur dhe nga ky këndvështrim, në bazë të nenit 149, paragrafi 2 i Kushtetutës, kam shqyrtuar dhe vlerësuar me impenjim maksimal vendimin e Kuvendit të Republikës. Edhe pse vendimi nuk është paraqitur në formën e kërkuar nga neni 149, paragrafi 2 i Kushtetutës dhe procedurës së kërkuar nga neni 114 i Rregullores së Kuvendit, duke vlerësuar më tepër se mangësitë formale, thelbin e kërkesës dhe punën e komisionit hetimor parlamentar, arrita në përfundimet e mëposhtme:

Në raport janë konsideruar shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve nga Prokurori i Përgjithshëm, veprimet ose mosveprimet e tij për një sërë çështjes të listuara në atë raport. Komisioni hetimor ka marrë përsipër të gjykojë bazueshmërinë në ligj të vendimeve të prokurorëve për çështje të caktuara penale. Për secilin rast, komisioni ka vlerësuar të gabuara mos fillimet, pushimet apo pezullimet e çështjeve penale të analizuara. Ky qëndrim i komisionit, i miratuar më tej nga Kuvendi, është në kundërshtim me parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve, parim ky i sanksionuar jo vetëm në nenin 7 të Kushtetutës, por është një parim që përshkon tërë organizimin dhe funksionimin e organeve të pavarura kushtetuese. Më tej, ky qëndrim i komisionit është në kundërshtim me fushën e veprimtarisë së komisioneve hetimore, të përcaktuar në ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të kuvendit”, dhe në Kodin e Procedurës Penale. Vendimmarrja lidhur me një procedim penal është atribut i organit të Prokurorisë, i cili, sipas nenit 148 të Kushtetutës është organ i vetëm që ushtron ndjekjen penale. Vendimet e marra lidhur me ushtrimin e këtij funksioni kushtetues mund të vlerësohen vetëm në rrugë hierarkike, te prokurori më i lartë e deri te Prokurori i Përgjithshëm, ose të kontrollohen nga gjykata mbi ankimin e palëve. Askush veç këtyre organeve nuk ka të drejtë të arrijë në përfundime dhe të bëjë vlerësime për vendimmarrjen e Prokurorisë, përfshi këtu edhe komisionet hetimore parlamentare. Edhe në rastin më të mirë, ky vlerësim do të ishte subjektiv, që do të thotë i hapur për interpretime dhe mendim ndryshe. Komisioni hetimor nuk mund të marrë atributin e gjykatës, e cila është e vetmja sipas ligjit që në instancë të fundit vlerëson nëse një çështje penale është pushuar me të drejtë ose jo, apo nëse mos fillimi apo pezullimi i një çështjeje është ose jo i bazuar në ligj. Në këtë mënyrë, komisioni ka marrë atribute që nuk i ka as Kuvendi i Shqipërisë, duke ushtruar në njëfarë mënyre kompetenca ose atribute që janë vetëm të organit të Prokurorisë ose Gjykatës. Vlerësoj se në veprimtarinë e këtij komisioni, nuk është marrë në konsideratë vendimi interpretues nr. 18 datë 14.05.2003, i Gjykatës Kushtetuese, e cila është shprehur se “kontrolli parlamentar duhet zhvilluar në mënyrë të atillë, që të mos ndërhyjë në veprimtarinë e pushteteve të tjera. Komisioni hetimor, duke hetuar një fushë të caktuar brenda kompetencave që përshihen në përgjegjësinë kushtetuese të Kuvendit, mund të arrijë të gjejë të dhëna, të cilat përbëjnë shkak për t’u vlerësuar nga ana e tij, por, pa hyrë në sferën e organeve hetimore.

Kam ndjekur me vëmendje të gjithë ecurinë e veprimtarisë së këtij komisioni dhe kam verifikuar edhe përbërjen e tij. Vlerësoj se, përbërja e komisionit dhe qëndrimet e disa anëtarëve të tij kanë cënuar parimin e një procesi të rregullt ligjor dhe atë të prezumimit të pafajësisë. Kjo, për arsye se, anëtarë të veçantë të komisionit, edhe kur ai kishte filluar veprimtarinë hetimore, publikisht kanë marrë përsipër të deklarojnë të provuara të gjitha shkeljet apo akuzat e pretenduara, të cilat duheshin verifikuar për vërtetësinë e tyre nga komisioni i posaçëm hetimor. Veç kësaj, në përbërje të komisionit, 5 nga 7 anëtarët e shumicës parlamentare janë edhe nënshkrues të kërkesës për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, duke cënuar më tej parimin e prezumimit të pafajësisë dhe të procesit të rregullt ligjor, për të cilat ka disponuar edhe Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj nr. 75, datë 19.04.2002, në një situatë analoge me këtë në shqyrtim.

Si konkluzion, pas vlerësimit të procedurave për ngritjen dhe funksionimin e komisionit hetimor parlamentar, si dhe të raportit të miratuar nga Kuvendi, referuar drejtpërdrejtë edhe vendimit nr. 75, datë 19.04.2002 të Gjykatës Kushtetuese, nuk gjej shkelje të tilla të ligjit në veprimtarinë e Prokurorit të Përgjithshëm, sa të përbëjnë rast për shkarkimin e tij, sikurse e kërkon neni 149, paragrafi 2 i Kushtetutës. Kështu, vendosa të mos e shkarkoj Prokurorin e Përgjithshëm për arsye se propozimi për shkarkimin e tij nuk ka mbështetje në kriteret dhe procedurat e parashikuara në Kushtetutë dhe në jurisprudencën kushtetuese.

Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj,

Presidenti i Republikës

Alfred Moisiu


__________________
none
Page 1 of 1  sorted by
 
Quick Reply

Please log in to post quick replies.

Tweet this page Post to Digg Post to Del.icio.us


Create your own FREE Forum
Report Abuse
Powered by ActiveBoard