Sherri për një gardh dhe për pak metra tokë, i ka marrë jetën një 28-vjeçari nga Lushnja. Lutfi Gjyshja, është qëlluar 7 herë me thikë në trup nga kushëriri i tij, në qendër të këtij qyteti. Ekzekutimi i të riut ka terrorizuar banorët, ndërsa policia ka mundur të arrestojë brenda 20 minutash autorin e krimit, Rruzhdi Gjyshja. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme, në dalje të tregut industrial të Lushnjës. Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit, bëjnë të ditur se dy të rinjtë ishin në konflikt pronësie që prej disa kohësh. Vetëm pak orë para vrasjes, kushërinjtë Gjyshja janë grindur keqazi për gardhin që kufizonte tokat në pronësi të tyre. Konflikti Një gardh që ndante tokat në pronësi të vëllezërve Ramazan dhe Halit Gjyshja, në fshatin Gjuzaj të Lushnjës, ka shkaktuar herë pas here sherre mes djemve të tyre. 27-vjeçari Rruzhdi Ramazan Gjyshja, i kishte kërkuar djalit të xhaxhait të tij, Lutfiut që të spostonte gardhin që kishte vënë, pasi sipas tij, i merrte shumë metra tokë që ishin në pronësi të familjes. Debatet mes dy kushërinjve të parë kanë vazhduar gjatë gjithë ditëve të kësaj jave, për të arritur kulmin, mbrëmjen e së enjtes. Sipas burimeve të mësipërme, viktima, banues në qytetin e Lushnjës, ka shkuar dy ditë më parë në fshatin e tij të lindjes, ku edhe ka tokat në pronësi të familjes së tij. Mbërritja e tij në fshat ka acaruar djalin e xhaxhait të tij, Rruzhdi Gjyshja. Ata janë grindur sërish për gardhin, duke debatuar ashpër dhe duke sharë rëndë njëri-tjetrin. Ndërkohë, mëngjesin e djeshëm, 28-vjeçari është kthyer në qytet. Ai ka shkuar për të blerë disa gjëra që i duheshin në tregun industrial të Lushnjës, por është goditur për vdekje nga kushëriri i tij. Vrasja I mbushur tërë mllef, Rruzhdi Gjyshja e ka ndjekur nga pas kushëririn e tij. Ai ka vënë re se Lutfiu ishte futur në tregun e qytetit, ndaj edhe ka pritur momentin që ta ekzekutonte atë. 28-vjeçari ishte duke dalë nga tregu, kur është qëlluar shtatë herë me thikë në trup nga djali i xhaxhait të tij. I riu ka dhënë shpirt mes një pellgu të madh gjaku. E ndërsa autori i krimit është larguar me shpejtësi, qytetarë që ndodheshin në vendngjarje kanë sinjalizuar policinë. Menjëherë pas marrjes së informacionit, uniformat blu janë vënë në ndjekje të autorit të krimit. Brenda 20 minutave është bërë e mundur prangosja e Rruzhdi Gjyshjas. Atij i është sekuestruar dhe thika në cilësinë e provës materiale. I riu është dërguar në qelitë e Komisariatit të Policisë së Lushnjës. Ai akuzohet “për vrasje me dashje”, si dhe “për mbajtje të armëve të ftohta”.
__________________
none
Page 1 of 1 sorted by
TiRaNaWeB.NeT -> Lajme -> LUSHNJE/ Policia arreston Rruzhdi Gjyshjan, 20 minuta pas krimit : Vret me thikë kushëririn për gardhin që ndante tokat