Projektligji i ri. Drejtori i përgjithshëm jo më vetëm oficer karriere. Ndryshon gjithë struktura
Kreu i policisë, tani post politik
Qeveria përgatit ndryshimin para zgjedhjeve. Ka mandat 5-vjeçar
Pak kohë para zgjedhjeve vendore, qeveria po përgatit një projektligj që do të ndryshojë sistemin e deritanishëm të drejtimit të policisë. Sipas projektit, drejtuesit e policisë nuk do të jenë detyrimisht oficerë karriere, por mund të vinë edhe nga jeta civile. Në këtë mënyrë, nëpërmjet kësaj klauzole dhe strukturës së re, qeveria do të rrëzojë krejtësisht kupolën e dikasterit blu. Duke filluar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, drejtuesi Bajram Ibraj, dy zëvendësit e tij; kryekomisarët Arben Doçi dhe Ahmet Haxhiaj, si dhe të gjithë drejtorët e drejtorive qëndrore, humbasin postet e tyre. Sistemi i ri; me një drejtor të përgjithshëm dhe 5 zëvendës ose shefa departamentesh, kryen spostimin indirekt të krerëve aktualë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Madje, që prej miratimit të këtij ligji, për të qenë Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nuk duhet të kesh patjetër një karrierë të mirëfilltë policie. Është caktuar në nivel lideri, ndërkohë që u jepen më tepër kompetenca drejtuesve të 5 departamenteve, të cilat do të jenë në nivel zëvendësdrejtorie. Drejtoritë Emërimi i Drejtorit të Përgjithshëm, parashikohet të kryhet prej Këshillit të Ministrave, dhe ai do të ketë një mandat 5-vjeçar. Një skemë kjo, ekuivalente me sistemin policor anglez. Drejtor i Përgjithshëm i Policisë mund të emërohet edhe një jurist, pa qenë oficer policie, apo i ardhur nga ndonjë profesion tjetër. Boll të ketë vision me prioritete strategjike të institucionit. Drejtorët apo shefat e 5 departamenteve qendrore, dorëzojnë automatikisht gradat e tyre gjatë marrjes së këtyre detyrave. Titulli konsiderohet si grada e re e tyre, të cilën e dorëzojnë automatikisht në momentin e largimit nga kjo detyrë. Projektligji i ri përcakton rikthimin e gradës që kanë pasur para emërimit në postet, Drejtor apo zëvendësdrejtor i Përgjithshëm. Një vendim i tillë heq edhe precedentin e krijuar për shkak të dhënies së gradave madhore, të cilat nuk përshtateshin me postet e tjera të policisë, nëse këta drejtues transferoheshin në një detyrë tjetër më të ulët si rol. Departamentet Do të jenë gjithsej 5, dhe do të kenë kompetenca të plota për sektorët e tyre. Do të quhen: Zëvendësdrejtoria e Departamentit të Krimeve; Zëvendësdrejtoria e Departamentit të Policisë me Uniformë; Zëvendësdrejtoria e Departamentit të Shërbimeve Mbështetëse; Zëvendësdrejtoria e Departamentit të Procedurave Standarde; Zëvendësdrejtoria e Departamentit të Trajnimeve dhe Zëvendësdrejtoria e Departamentit të Burimeve Njerëzore. Në fakt, zëvendësdrejtorët e Përgjithshëm të Policisë, do të kenë atributet e përgjegjësive të anës profesionale të punës së policisë. Qarqet Projektligji i ri "Për Policinë e Shtetit, strukturën dhe gradat", parashikon që struktura në qendër, të mos reflektohet tërësisht në bazë. Do të ruhet pak a shumë struktura ekzistuese, me disa përshtatje sipas nevojave specifike. Kështu, është vendosur që vetëm Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, e cila është edhe më e madhja në vend, të ketë tre zëvendësdrejtorë që do të mbulojnë fushën operacionale, atë të rendit dhe prapavijën logjistike. Kurse 11 drejtoritë e tjera të policive në prefektura, do të kenë të njëjtën skemë që kanë me një drejtor dhe dy zëvendësdrejtorë. Ndryshe nga struktura në qendër, drejtorët dhe zëvendësdrejtorët e qarqeve do të ruajnë gradat e tyre dhe duhet të kenë patjetër një karrierë të mirëfilltë në polici.
Gati shkurtimet e 1700 oficerëve e policëve
Miratimi i strukturës së re të Policisë së Shtetit, pritet të nxjerrë në lirim rreth 1700 oficerë dhe punonjës policie. Shkurtimet janë propaganduar si nevojë e arritjes në nivelet e policive europerëndimore, të raporteve punonjës policie për numër popullsie. Në fakt, janë larguar me dëshirën e tyre 108 ish-oficerë të lartë të policisë, të cilët për shkak të reformës së gradave, i humbnin ato. Ishte një urdhëresë e ministrit të Brendshëm, Sokol Olldashi dhe zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Arben Doçi, për konvertimin e gradave të gjithë trupës së policisë, kundrejt funksionit që ata kanë aktualisht. Kështu, të gjithë ata ish- oficerë të lartë, të shkarkuar dhe transferuar në poste të dorës së dytë, tashmë detyroheshin të dorëzonin edhe gradat larta që i kishin ruajtur pas transferimit.
__________________
none
Page 1 of 1 sorted by
TiRaNaWeB.NeT -> Aktualitet -> Projektligji i ri. Drejtori i përgjithshëm jo më vetëm oficer karriere. Ndryshon gjithë struktura.