4,tetor,2006 Kreu i KLSH: Nuk u mblodhën 35 miliardë lekë në arkën e shtetit
Tatimet, borxhi rekord në 2005
Bode: Faji i firmave fantazëm dhe i gjykatave
Gjatë vitit 2005, borxhi doganor dhe tatimor ka arritur në shifra rekord. Janë rreth 35 miliardë lekë që kompanitë i kanë borxh arkës së shtetit. Qeveria nga ana e saj, nuk ka mundur t’u vjelë shoqërive debitore, borxhet që ato kanë ndaj arkës së shtetit. Kjo, pasi një pjesë e këtyre kompanive janë fantazmë, borxhi i të cilave arrin në nivele të larta. Kategoria e dytë janë ato shoqëri të cilat janë në procese gjyqësore. Këto procese zgjasin 3 deri në 4 vjet, çka e pengon edhe më shumë vjeljen e detyrimeve. Shoqëritë të cilat janë në procese gjyqësore, i detyrohen shtetit 200 milionë dollarë, si rrjedhojë e mosmbylljes së proceseve. Por ai çka është edhe më shumë shqetësues, është fakti se ky borxh ka tendenca drejt rritjes. Shifrat u bënë publike dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Çeku Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Robert Çeku ka vënë dje alarmin për dëmet që i shkaktojnë buxhetit të shtetit, mosarkëtimi i borxhit doganor nga ana e shumë kompanive. Çeku u shpreh se në kontrollin e ushtruar nga KLSH-ja, janë vërejtur shkelje të legjislacionit në administrimin e të ardhurave nga tatimet dhe doganat. Sipas tij, “dëmi ekonomik si rezultat i këtyre shkeljeve, arriti në 1.2 miliard lekë, ndërsa borxhi që kompanitë kanë ndaj administratave tatimore dhe doganore, arriti në 35 miliardë lekë”. Ai theksoi se në fund të 2005-ës, borxhi ka arritur një shifër jashtëzakonisht të lartë, më e larta historike dhe ka tendencë rritjeje. Kryetari i KLSH-së, Çeku tha se shkelje janë konstatuar edhe në administrimin e shpenzimeve korente në paga dhe shpenzime operative, prej rreth 89 milionë lekësh. “Shkelje kemi konstatuar në kontrollet e ushtruara edhe në shpenzimet kapitale, kryesisht në prokurimet publike me vlerë 245 milionë lekë”, - tha ai. Kryetari i KLSH-së u shpreh se për sa u përket investimeve publike, ende nuk ka një kuadër ligjor të plotë, gjë që ka sjellë që në projektet në kuadër të kredive, të konstatohen edhe shkeljet më të mëdha dhe dëmi ekonomik i shkaktuar arriti në 429 milionë lekë. Ndërsa dëmi i shkaktuar nga pushteti vendor, është 119 milionë lekë. Bode Borxhi doganor dhe tatimor, mund të quhet gropa e zezë e buxhetit të shtetit. “Borxhet e tatimeve dhe doganave përbëjnë një problem shumë të madh dhe unë e kam ngritur disa herë këtë problem. Por kjo është një çështje e cila kërkon një trajtim të kujdesshëm, për të pasur sukses në uljen e këtij borxhi. Për fat të keq, ky borxh nuk ulet”, - tha kreu i Financave, Ridvan Bode. Ai akuzoi firmat që operojnë në sektorin e karburanteve, se renditen ndër debitoret më të mëdha ndaj administratës. Sipas tij, ka dy kategori firmash për sa u përket borxheve. E para, janë shoqëritë fantazmë, të cilat nuk ekzistojnë. Ka kompani të mëdha, të cilat figurojnë nën emrin e ndonjë emigranti i cili nuk jeton më në Shqipëri. Por ka edhe raste më ekstreme, ku pronarë firme figurojnë emra të vdekurish. “Kategoria e dytë janë ato shoqëri, të cilat janë në procese gjyqësore. Sot ka me dhjetëra kompani të kësaj natyre, të cilat kanë të paktën 200 milionë dollarë detyrime që vazhdojnë në mënyrë ciklike gjyqet”, - tha ministri. Një cikël i tillë gjyqësor zgjat 3-4 vjet. Sipas tij, ekzistojnë edhe shuma të regjistruara prej 15 vjetësh.
raegime:
Çeku KLSH-ja rekomandon që në buxhetin e vitit 2007, një pjesë e detyrimeve të borxhit tatimor dhe doganor të inkludohet në parashikimet e 2007-ës. Të vendoset një rregull që vlera e dëmit ekonomik të konstatuar nga KLSH-ja, të hyjë në të ardhurat e buxhetit 2007.
Bode Ministria e Financave ka hartuar një ligj për investimet e huaja. Drafti i hartuar është në Parlament. Sipas këtij drafti, do të jenë ministritë përgjegjëse për investimet e huaja dhe jo agjencitë. Kjo në mënyrë që këto projekte të përfundojnë në afatin e caktuar.
Malaj Borxhi doganor është një fenomen që haset në të gjitha vendet. Por vende të ndryshme kanë strategji të ndryshme. Ajo çka nuk përputhet në vendin tonë, ishte tendenca e vitit 2005. Qeveria pretendoi se borxhet mund të mblidheshin edhe për 100 ditë. Qeveritë serioze e shikojnë këtë si një sfidë afatgjatë.
Dëmet KLSH-ja ka konstatuar shkelje në prokurimet publike me vlerë 245 milionë lekë. Në projektet në kuadër të kredive, janë konstatuar edhe shkeljet më të mëdha dhe dëmi ekonomik është 429 milionë lekë. Ndërsa dëmi i shkaktuar nga pushteti vendor është 119 milionë lekë.