Dy bomba artizanale kanë rrezikuar jetën e dhjetëra studentëve në fakultetin Ekonomik dhe atë Politeknik Policia në alarm, blindon rrugët e kryeqytetit. Antiterrori merr përsipër zbardhjen e ngjarjeve Një plan terrorist ka rrezikuar jetën e dhjetëra studentëve, mesditën e djeshme në Tiranë.
Universiteti Politeknik dhe Fakulteti Ekonomik në kryeqytet janë përfshirë nga paniku, pasi në ambientet e tyre janë gjetur thuajse në të njëjtën kohë, dy bomba të prodhuara në mënyrë artizanale, gati për të shpërthyer. Një mekanizëm në formën e një mine me sahat është gjendur në ambientet e brendshme të Fakultetit Ekonomik, ndërsa në shkallët e Korpusit Universitar, një nga pastrueset ka gjetur një qese me 30 gram lëndë eksplozive të paidentifikuar. Lajmërimet në 30 minuta distancë nga njëra-tjetra kanë vënë në alarm policinë e Tiranës, por edhe forcat e Antiterrorit, repartin special të RENEA-s dhe dhjetëra punonjës policie që blinduan Rrugën e Elbasanit dhe bulevardin kryesor të kryeqytetit. Dy orët në vazhdim do të mbanin në tension me qindra vetë që ndodheshin përreth ambienteve universitare, në momentin që do mësonin se në hyrjet e fakulteteve të tyre ndodheshin bomba, gati për të shpërthyer.
Rreth orës 14.00, në kohën që fakulteti Ekonomik ishte i mbipopulluar nga studentët, roja i godinës është njoftuar për një qese të dyshimtë patatinash, të vendosur në shesh-pushimin e studentëve. Pa dyshuar për ndonjë send të rrezikshëm, ai e ka marrë qesen dhe për siguri e ka nxjerrë në oborrin e fakultetit, duke e vendosur pas disa shkurreve dhe ka lajmëruar policinë. Roja i Fakultetit Ekonomik u ka treguar ekspertëve xhenierë se ku e kishte vendosur qesen dhe më pas këta të fundit, me ndihmën e një qeni antiminë kanë lokalizuar vendndodhjen e saj. Paniku ka përfshirë pjesën më të madhe të studentëve, ndërkohë që dhe fytyrat e policëve sa vinin dhe bëheshin më të zbehta. Njëri prej xhenierëve, pasi dëgjoi dhe dëshminë e rojes konstatoi një tip të veçantë mekanizmi të prodhuar në mënyrë artizanale, ku ishin bashkangjitur me njëra- tjetrën disa sfera dhe gozhdë të lidhura me një lloj eksplozivi dhe sipër tyre një orë e vogël zgjimi, që qëndronte e fiksuar me anë të disa telave.
Menjëherë është filluar nga puna për ekspertizën e bombës artizanale, ndërkohë që forcat e policisë kanë boshatisur oborrin e fakultetit nga studentët kureshtarë dhe makinat e më pas nga forcat xheniere janë provokuar dy shpërthime të njëpasnjëshme, për të vërtetuar nëse në përbërje të qeses kishte lëndë plasëse. Por ende pa u qetësuar gjakrat, në oborrin e fakultetit Ekonomik, një tjetër telefonatë ka lajmëruar se në shkallët e Korpusit ndodhej një tjetër bombë artizanale. Drejtues të policisë së kryeqytetit pohuan mbrëmë për Shekullin se të dyja bombat ishin shumë të rrezikshme dhe ka qenë fat që nuk kanë shpërthyer. Ata shtuan se hetimi i këtyre dy ngjarjeve, që duket se kanë lidhje me njëra-tjetrën do të bëhet nga strukturat e Antiterrorit. Gjatë gjithë pasdites se djeshme, rruga e Elbasanit, sidomos pranë aksit rrugor tek Ambasada Amerikane dhe bulevardi Dëshmorët e Kombit është mbushur me patrulla policie. Deri në orët e vona të mbrëmjes, Policia e Tiranës bëri me dije vetëm se në të dyja alarmet kishte lëndë plasëse, pa mundur të shpjegojë se kush fshihet pas kësaj ngjarjeje të rëndë, që për fat nuk shkaktoi viktima. Pista e parë hetimore ka përfshirë studentët e të dyja fakulteteve, por nuk përjashtohet dyshimi se ngjarja është planifikuar nga njerëz profesionistë, qëllimi i të cilëve ende nuk është i qartë.
HETIMI
Ekspertizë bombave artizanale
TIRANË- E ndërsa fakulteti Ekonomik është boshatisur nga studentët e pedagogët, në vendngjarje ka mbërritur edhe dekani Dhori Kule, i cili pasi u mor në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore është larguar, pasi u mundua të qetësojë sadopak një grup studentësh që i kishte zënë paniku. Burime policore bënë të ditur se megjithëse po punohet intensivisht nuk është përcaktuar asnjë pistë hetimi apo shoqërimi i një autori të mundshëm, kjo pasi sipas tyre ka zënë në befasi forcat policore të cilat nuk janë ndeshur shpesh me raste të kësaj natyre. Nuk është përcaktuar ende përbërja e dy bombave artizanale ndërkohë që kampione nga të dyja lëndët janë dërguar për ekspertizë në Institutin e Policisë Shkencore të Tiranës, ku pritet të përcaktohet rrezikshmëria e tyre.
Bombën e gjetën disa studente, pranë byrektores. Kam ngelur pa frymë kur e mora vesh
Roja i Ekonomikut: Bomba peshonte 1.5 kg
TIRANË- Ka pasur në dorë një bombë të konsideruar tejet të rrezikshme, ndaj vazhdon të përjetojë ankth, edhe pas ndërhyrjes së policisë. Roja i fakultetit Ekonomik pranon të tregojë për Shekullin se si e gjeti bombën, duke i dhënë të drejtë vetes që lajmëroi policinë. Në çvend e keni gjetur qesen, që më pas u zbulua se brenda kishte lëndë eksplozive? Në fakt nuk e kam gjetur unë i pari, por disa studentë që më lajmëruan se pranë byrektores, në njërin prej stolave ku hanë studentët, ndodhej një pako patatinash, por që kishte ndryshime.
Në çkuptim ndryshime? Kur e kam marrë unë në dorë, ajo më është dukur e rëndë, gati një kile e gjysmë. Ishte e mbyllur mirë në grykë dhe kjo më bëri më shumë kurioz që ta hapja. Në këtë moment më ka rënë nga dora dhe bëri zhurmë. Kjo ma futi më shumë frikën. E hapa ngadalë dhe shikova brenda një orë të vogël, si ato që vëmë te komodina për tu zgjuar, një lëndë në ngjyrë të kuqerremtë si dhe disa sfera dhe gozhdë. Aty jam frikësuar keq dhe e kam çuar në oborr, ku e kam lënë pranë disa shkurreve që të mos ta preknin studentët. Frika më bëri që të marr policinë në telefon dhe ti lajmëroja për atë që kisha gjetur.
Tani që e morët vesh se brenda ndodhej bombë, si ndjeheni? Them shyqyr nuk më ka shpërthyer në duar mua apo ndonjë studenti tjetër që mund ta kishte gjetur. Jam tmerruar sot, kur dëgjova policinë se për çfarë bëhej fjalë, kam ngelur pa frymë. Por shyqyr që mbaroi me kaq.
__________________
JETA ESHT E BUKUR
JETOJE
DHIMBJA ESHT E TRISHTUAR
HARROJE