Prindërit kanë ngulmuar që Elona të linte të dashurin dhe të vazhdonte studimet, por vajza ka vendosur t'i japë fund jetës
Dashuria "vrau" familjen Aliu, duke i marrë jetën vajzës së re dhe më pas edhe nënës së saj. Dhimbja nuk ka qenë vetëm e pjesëtarëve të kësaj familje, por edhe për të gjithë të njohurit e dy viktimave. Vajza e re, Elona Aliu, nuk ka mundur të mohojë dashurinë e saj me shokun e shkollës, një veprim i kërkuar nga nëna e saj, por edhe Dhurata Aliu nuk ka mundur të rezistojë nga dhimbja për të bijën, duke i dhënë fund edhe jetës së saj në të njëjtën mënyrë si ajo. Me dhjetëra të afërm, miq e komshinj, kanë vizituar dje familjen Aliu në katin e 11 të një kulle të lartë në Rrugën e Kavajës, e cila humbi dy ditë më parë dy pjesëtare të familjes, Bukuroshe dhe Elona Aliun, nënë e bijë. "Ishte një tragjedi. Edhe sot nuk e besoj se si nënë e bijë i dhanë fund jetës në atë mënyrë", tregon një banore gati e përlotur. "Ende nuk dua ta besoj", shton më tej ajo. "Ishte një familje e qetë. Njerëz që shikonin hallin e tyre", vijon bisedën një burrë, i cili rrëfen se është banor i pallatit ku ndodhi ngjarja. Ai tregon se kishte mësuar se vajza e shtëpisë, Elona, vazhdonte shkollën e mesme të përgjithshme "Besnik Sykja" në Tiranë. "Ndërsa Haxhiu, kryefamiljari i familjes Aliu, ishte një njeri i qetë me profesion inxhinier dhe punonte në bashki", tregojnë komshinjtë e familjes. Por, dhimbja për humbjen e kësaj familje ka qenë edhe më e madhe. Elona Aliu ishte nxënëse e vitit të katërt, në shkollën e mesme të përgjithshme "Besnik Sykja". Në këtë shkollë, mësuesit pranojnë se 18-vjeçarja nuk kishte probleme me vijimin në shkollë, mësonte mesatarisht dhe kishte sjellje të rregullt. Njëra prej tyre shprehet se viktima kishte probleme me familjen për shkak të të dashurit të saj. Ndërsa shokët dhe shoqet e klasës nuk ndihen mirë, pasi të gjithë e njohin të dashurin që duket se është edhe njeriu që në mënyrë të paidentifikuar është shkaku i tragjedisë. Nga ana tjetër, policia ka zbardhur ngjarjen dhe i ka lënë të lirë familjarët Aliu. Madje, uniformat blu kanë shoqëruar edhe të dashurin e 18-vjeçares, i cili është shprehur se ndihej fajtor për çfarë kishte ndodhur. Sipas policisë, familja e dinte lidhjen e vajzës së tyre dhe nëna e Elonës ka kërkuar që ajo të ndahet me të. Por, një telefonatë i ka ardhur në kohën e debatit dhe kjo e ka ashpërsuar komunikimin. "Në këtë kohë, në banesë ndodhej edhe vajza tjetër, Enkela 22-vjeçare dhe vëllai i saj me të shoqen, por ata nuk kanë ndërhyrë në konfliktin nënë e bijë. Më vonë, të dyja viktimat kanë dalë në ballkon dhe aty nuk dihet si ka ndodhur që të dyja janë hedhur poshtë, duke pësuar fraktura të rënda. Sipas dëshmitarëve ato kanë rënë në këmbë dhe nuk kanë vdekur në vend, por kanë mundur të mbijetojnë vetëm dhjetë sekonda e më pas kanë ndërruar jetë.