Members Login
Username 
 
Password 
    Remember Me  
Post Info TOPIC: Thellohet kriza energjitike: gjithe vendi zhytet ne erresire


Administrator

Status: Offline
Posts: 147
Date:
Thellohet kriza energjitike: gjithe vendi zhytet ne erresire
Permalink   


Kreu i KESH-it Andi Beli, ka pranuar dje për herë të parë se situata energjetike në vend është e rënduar. Ndërsa për sa u përket kufizimeve të energjisë që tashmë po aplikohen në të gjithë vendin, Beli u shpreh se ndërprerjet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, kjo për të evituar problemet në stinën më të ftohtë të vitit. Sot pritet që KESH-i të deklarojë edhe grafikun e ndërprerjeve në të gjithë vendin. Kontratat e importit të lidhura mes KESH-it dhe kompanive të huaja kanë qenë faktori kryesor që ka ndikuar në rëndimin e situatës në vend.

Sipas kontratave të nënshkruara kompanitë e huaja kanë të drejtë që të trasmetojnë energji nga 20 deri në 100 Megavat. Aktualisht kompanitë po trasmetojë energji në minimumin e tyre pra 20 Megavat. Kjo ka ndikuar në uljen e importit të energjisë në vend. “KESH po bën presion ndaj firmave në mënyrë që të rrisin sasinë e trasmetimit të energjisë” është shprehur Beli në një prononcim për gazetën. Por pavarsisht këtyre presioneve kompanitë nuk janë të detyruara që të rrisin sasinë e trasmetimit pasi në bazë të kontratës të nënshkruar me KESH, atyre u lejohet dicka e tillë.

Ndërkohë që faktorë të tjerë që kanë ndikuar në këtë situatë janë edhe mungesa e reshjeve, si edhe linjat e zëna të transmetimit të energjisë elektrike. Mënyra e vetme për t’i shpëtuar errësirës, është rritja e sasisë së importit. “Duhet të arrijmë të sigurojmë nga importi në mbi 6 milionë mwh në ditë, që së bashku me prodhimin vendas të përballojmë konsumin”, - u shpreh ai. Aktualisht, konsumi i energjisë është 21 milionë kwh, nivel ky që krahasohet me ditët e ftohta të dimrit.
Situata
Prej disa ditësh, qindra mijëra familje në të gjithë vendin po hasen me kufizime të energjisë elektrike. Faktorët që kanë ndikuar në rëndimin e situatës është mungesa e reshjeve, që këtë vit po vonojnë jashtë çdo parashikimi të mundshëm. “Në mënyrë të veçantë ekziston një reduktim i ndjeshëm i burimeve të energjisë në vendet me kosto të lirë të prodhimit, Rumani e Bullgari. Këto vende, në mënyrë të paparashikuar po eksportojnë në rajon shumë më pak se vitin e kaluar dhe për më tepër, rrugët e transmetimit janë krejtësisht të zëna jo vetëm nga energjia e eksportuar, por edhe nga energjia që vetë këto vende po importojnë për veten e tyre”, - tha Beli.

Si rrjedhojë e kësaj situate, të gjitha kontratat afatgjata me vendet fqinje kanë pësuar goditje dhe pothuajse të gjitha kompanitë nuk po i respektojnë kontratat e lidhura, çka ka krijuar vështirësi në furnizimin me energji elektrike. Në këto kushte, KESH-i për të përballuar furnizimin me energji, ka rritur prodhimin e brendshëm. Konkretisht në TEC-in e Fierit, prej më se 8 vjetësh nuk prodhohej më tepër se 8MW energji, tashmë me një impenjim maksimal dhe investime po arrihet në 27Mw dhe në fund të muajit prodhimi do të arrijë në 47MW, d.m.th, gati 1 milion kwh në ditë. Por, sipas Belit, pavarësisht kufizimeve të ditëve të fundit, këtë vit situata e furnizimit me energji elektrike paraqitet më pozitive se një vit më parë. “Nivelet e ndërprerjeve të verifikuara këtë vit janë më poshtë se 50%, në krahasim me vitet e fundit. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, kufizimet ishin në nivelet 5 milionë kwh në ditë, tashmë janë 2.5 milionë”, - u shpreh ai.
Importi
Sipas Belit, aktualisht KESH-i mund të importojë energji nga linja e interkonjeksionit me Greqinë, si dhe nga ajo e Malit të Zi, ndërkohë që po bëhet përpjekje që ajo pjesë e lirë që ka mbetur nga linjat me Kosovën, të mund të shfrytëzohet. Për të siguruar importin e energjisë, KESH-i po shikon mundësinë e blerjes me prokurim të drejtpërdrejtë ose edhe me tender. “Ekzistojnë mundësi konkrete dhe unë jam në pritje që brenda ditëve të fundit të finalizoj oferta konkrete dhe mundësi konkrete për marrjen. Pritet që brenda 2-3 ditësh do të arrijmë në nivele importi të konsiderueshme”, - tha ai.
Kufizimet
Liqeni i Fierzës sot është në nivelin e 263 metrave. Kufizimet e energjisë të nisura disa ditë më parë, do të vazhdojnë. “Që të mund të evitonim të gjitha kufizimet, duhej që në radhë të parë sipas parashikimeve të kishim në kaskadë një nivel prurjesh, të paktën deri në 250 m kub në sekondë. Aktualisht kemi një nivel që arrin deri në 1/5 e asaj që është parashikuar” - tha Beli. Të gjitha skenarët që KESH-i kishte bërë për një furnizim të vazhdueshëm me energji, dolën jashtë kufijve të probabilitetit, për një arsye shumë të thjeshtë, sepse u vumë përballë një fakti që kontratat e energjisë nuk po respektohen.

__________________
Page 1 of 1  sorted by
 
Quick Reply

Please log in to post quick replies.

Tweet this page Post to Digg Post to Del.icio.us


Create your own FREE Forum
Report Abuse
Powered by ActiveBoard