Members Login
Username 
 
Password 
    Remember Me  
Post Info TOPIC: Elvira Diamanti, prish "divorcin" me kinemanë


Administratore

Status: Offline
Posts: 301
Date:
Elvira Diamanti, prish "divorcin" me kinemanë
Permalink   



 


Kur qarkullojnë ende thashetheme për një divorc të saj në familje, Elvira Diamanti ka vendosur të prishë edhe "divorcin" e saj tetëvjeçar me kinemanë. Ende lumturisht e martuar, aktorja rrëfen se do t'i rikthehet madje edhe kinemasë. "Kam nostalgji për filmin",- thotë ajo, duke pohuar se bëhet fjalë për një rikthim konkret, me një rol protagonisteje në një film të regjisorit Saimir Kumbaro. "Lulet e majit" është filmi që do të xhirohet në pranverë dhe ku aktorja me sharmin e Marigosë, do të interpretojë pothuajse vetveten. Kësaj radhe një drejtoreshë, pasi ky është edhe pozicioni i saj social prej disa vitesh, në krye të Teatrit të Kukullave. Në filmin me skenar të Rruzhdi Pulahës, ajo do të jetë drejtoresha e një azili të moshuarish, personazhe këto që do të interpretohen gjithashtu nga një kast aktorësh profesionistë, por emrat e të cilëve nuk janë ende përfundimtarë.


"Rikthehem me shumë shqetësim në fakt dhe jo pa frikë, pasi shkëputja ime me kinemanë ka zgjatur disi. Ky rol është si një sprovë për mua. Megjithatë, më ngroh shumë skenari, grupi i aktorëve që po përzgjidhen. Por, filmi ka shumë komponentë që nuk janë në dorën tënde, prandaj frika e dështimit ekziston gjithmonë",- shprehet Elvira gati me ndrojtje, për këtë rikthim në profesionin e saj të vërtetë. Sidoqoftë, aktrimi duket se nuk është më një pasion i pazëvendësueshëm për të dhe thotë se e ka gjithnjë e më të vështirë, të ndërrojë lëkurët e personazheve njëri pas tjetrit. I janë dashur tetë vjet, për të pranuar të veshë lëkurën e një personazhi në kinemanë shqiptare, por në fakt nuk i duhet të sforcohet shumë, pasi ajo çfarë i është kërkuar nga regjisori, ka qenë thjeshtë të luajë vetveten, pra të komportohet njëlloj siç bën në Teatrin e Kukullave.


Në fund të fundit, gjithnjë është thënë se pleqtë dhe fëmijët janë njëlloj. Për Elvirën, një shoqëri si kjo e jona është shumë e egër, si për fëmijët, ashtu edhe për të moshuarit. "Por frika e pleqërisë është megjithatë, më e madhe se ajo e fëmijërisë kur je i vogël, por ke përpara fushën e mundësive, të cilën në pleqëri e sheh të lënë pas",- shprehet Elvira, e cila nuk duket megjithatë edhe aq e trembur nga pleqëria. "Unë vetë nuk kam një raport frike apo ankthi nga pleqëria. Mua më pëlqen të jetoj moshën që kam dhe mendoj se është përvoja ajo që të mbush dhe i zë vendin trishtimit të viteve që ikin",- thotë ajo, duke nxituar të shtojë përvojën e saj si nënë dhe raportin me vajzën e saj, Edrën, tanimë studente në degën e Mjekësisë. "Kur ke një vajzë në shtëpi, gjërat ke mundësi t'i rijetosh, madje më bukur, dhe kjo gjë nuk më le aspak shijen e gjërave që kam dashur t'i bëj edhe vetë, por nuk kam mundur. Thjesht u rikthehem ndjesive të mia të dikurshme nëpërmjet vajzës sime",- rrëfen Elvira për raportin e saj me të bijën, që thotë se është një raport shumë special dhe konfident. Shton se nuk ndodh krejt e njëjta gjë me të birin, Markon, që po kalon adoleshencën. "Është shumë i bukur, por edhe shumë i hedhur",- tregon Elvira, që thotë se marrëdhënia e saj familjare bëhet gjithnjë e më e bukur, duke shtuar se thashethemet për një divorc të saj e kanë shqetësuar disi, ndërsa tregon se vazhdon të jetë me Drinin, bashkëshortin e saj, njëlloj si më parë. "Nuk bëhet fjalë për divorc. Janë thjeshtë thashetheme",- thotë ajo dhe shton se ndoshta keqkuptimi mund të ketë lindur nga një proces për kalim pronësish, në emrin e saj personal.


Një nënë dhe bashkëshorte e përkushtuar, Elvira Diamanti, duket se megjithatë nuk e ka harruar pasionin e saj të parë, kinematografinë dhe nostalgjia ia mbush sytë, sa herë që flet për rolet e dikurshme që ka pasur. Do të donte të kishte prapë një Marigo, kjo nuk ka dyshim, por kinemaja që bëhet aktualisht, nuk i pëlqen në përpjekjen e tepruar që bën për t'u pëlqyer të huajve. "Kinemaja jonë është shumë e fryrë. Ka shumë anormalitet në filmat shqiptarë që bëhen tani dhe mendoj se ne kemi nevojë për mesazhe pak më të ndriçuara. Këtë e vura re edhe në Festivalin e Filmit, të cilin e ndoqa me shumë vëmendje këtë vit, edhe për shkak se po përgatisja veten emocionalisht, për të hyrë në rolin tim të ri". Në filmin e saj më të ri, që do të nisë xhirimet në pranverë, Elvira tregon se ka shumë nga ky normalitet që i ka munguar kinemasë, ka emocione, por edhe intrigë, karaktere të forta që shkojnë nga enveristi deri tek i persekutuari, si edhe një histori dashurie që lind në azil dhe një konflikt për pronësinë e azilit. "Nëse do të ruhet realizmi dhe emocioni, ky film besoj se do të pëlqehet shumë",- thotë ajo. Por, kur vjen fjala për teatrin, Elvira e gjen veten të ftohtë, sepse nuk është e gatshme të sakrifikojë aq shumë, për diçka që nuk del jashtë oborrit të teatrit, ndërsa, sipas saj, filmi është një sakrificë që ia vlen, pasi është shumë më jetëgjatë.


Sado jetëgjatë të jetë filmi, karriera e re e Elvira Diamantit, duket se mund të jetë edhe menaxhimi, edhe pse ajo ende nuk e quan veten një menaxhere të mirëfilltë, pasi siç shpjegon, vazhdon t'i bëjë gjërat më tepër me zemër sesa me arsyetim të ftohtë. Sado institucion periferik të duket një Teatër Kukullash, për Elvira Diamantin është një impenjim që i merr shumë energji dhe madje, thotë se kalon shpesh edhe periudha anoreksie, për shkak të stresit në punë. Shumë e dobësuar kohët e fundit, ajo tregon se do të donte të mbushej pak, por punët me oreksin nuk i ka edhe aq mirë. Të pandarë duket se e ka edhe cigaren nga dora. "Administrata është si një karrocë, të cilës mezi i ecin rrotat", - komenton ajo stresin e gjërave të vogla që duhet të kalojë në punën e saj si drejtore e Teatrit të Kukullave, i cili ka arritur të ketë më në fund një skenë dhe ndriçim bashkëkohor, gjë që i ka munguar prej shumë kohësh. Këtë fundvit, Teatri i Kukullave në Tiranë ka edhe një kalendar të vetin për herë të parë dhe Elvira duket shumë e kënaqur që ai do t'u shkojë të gjithë fëmijëve, që nga spitalet, shtëpitë e jetimëve e fëmijëve me probleme, e deri në kopshte e shkolla. Përveç planit të 3 premierave në vit, që duket i vështirë për t'u tejkaluar, aktorja tregon se këtë verë do të nisë edhe projekti i eatrit të kukullave të lëvizshme me kukulla të vogla, si edhe vënia në skenë e një pjese me kukulla nga një regjisor italian. Një shkollë e mirëfilltë për artistë kukullash është një shqetësim tjetër i Elvirës, që thotë se megjithatë, vetë Teatri ka arritur të krijojë një lloj shkolle dhe se salla e shfaqjeve është gjithnjë e mbushur plot, pavarësisht konkurrencës që i bëjnë atij filmat e animuar dhe televizioni.


Rolet


Kinema


Përrallë nga e kaluara


Radiostacioni


Liri a vdekje


Shoqja nga fshati


Shokët


Në prag të lirisë


Dasma e Sakos


Teatër


Shi në plazh


Mësuesi i letërsisë


Shtëpia e Bernarda Albës


Kush e solli Doruntinën


Vdekja e Dantonit


Nostalgjia


Kur luante Marigonë


Roli i saj më i dashur, mbetet pa dyshim edhe ai që është më i dashuri e më i njohuri nga publiku, roli i Marigosë. Ishte 23 vjeç në kohën kur u zgjodh për të luajtur gruan e krahinës së Zagorisë. Këtë rol e kishte marrë përsipër fillimisht ta luante Luiza Xhuvani. Në momentet e fundit regjisori Dhimitër Anagnosti kishte gjetur një gjë që nuk shkonte në figurën e saj me rolin dhe ia kishte propozuar rolin Elvira Diamantit. "Regjisori erdhi në teatër dhe më dha skenarin. Ishte një skenar jashtëzakonisht i bukur, të cilin ai e kishte shkruar vetë. Më goditi që në fillim ai skenar. Iu përkushtova kohës së kinoprovave dhe gjithë xhirimet e provat zgjatën gjashtë muaj", - tregon ajo. Në rolin e Marigosë ajo u fut pasiqë e njihte mirë gjithë krahinën e Zagorisë edhe për arsyen se nëna e saj ka qenë gjirokastrite. Nga ana tjetër Gjirokastra është qyteti i saj i dashur ashtu si edhe "Kronikë në gur" është libri më i dashur i saj nga Ismail Kadare. Në kohën kur luante filmin ajo i kishte flokët e shkurtra dhe me rrica. Për këtë arsye ajo qe e detyruar të mbante paruken e famshme me dy gërsheta, që i erdhi shumë mirë për shtat


 


 



__________________
JETA ESHT E BUKUR JETOJE DHIMBJA ESHT E TRISHTUAR HARROJE
Page 1 of 1  sorted by
 
Quick Reply

Please log in to post quick replies.

Tweet this page Post to Digg Post to Del.icio.us


Create your own FREE Forum
Report Abuse
Powered by ActiveBoard