Më 9 janar të vitit 2000, në Tardini, në minutën e 92-të të një ndeshjeje thuajse të humbur, Hernan Krespo tha: "Po shkoj të shënoj një gol". Parma e tij, që kishte mbetur me 9 lojtarë, po humbiste 2-1 ndaj Juves kryesuese të Karlo Ançelotit. Hernani e uli kokën dhe e ringriti vetëm pasi shënoi një gol të pamundur, tepër të bukur. "Në atë moment u ndjeva më i forti në botë", - shpjegoi Krespo pas ndeshjes, duke shtuar më pas një mendim të këndshëm: "Për atë gol ka shumë meritë edhe Ançeloti, i cili më ka përmirësuar shumë. Tek e fundit, besoj se edhe vetë atij do t'i jetë bërë pakëz qejfi për golin tim." Pakëz, por fare pakëz ndoshta, sepse atë ditë Juvja u kapërcye në krye nga Lacio, e cila më pas fitoi titullin në fund të kampionatit. Të shtunën, me të njëjtën mosmirënjohje të shëndetshme që të detyron sporti, Krespo "i rrëmbeu" derbin dhe ëndrrat që i mbeteshin për titullin Ançelotit, adhuruesin më të madh që Krespo ka pasur ndonjëherë në Itali, trajnerin që te Parma e mbronte kur krerët mendonin se "tenori" i ri, i mbërritur nga Buenos Airesi, nuk ishte i aftë të luante në ekipin e parë. Ndoshta thellë-thellë, edhe të shtunën Ançeloti mund të ketë ndjerë pakëz krenari për qendërsulmuesin, të cilin u përpoq me të gjitha mënyrat ta merrte te Juvja, gjë që arriti ta realizonte vetëm te Milani, dhe ndoshta do ta ketë pyetur veten kushedi për të satën herë pse drejtuesit e tij në verën e 2005-s, nuk i paguan Çelsit 12 milionë eurot që nevojiteshin për ta mbajtur Hernanin në Milanelo. Ndërsa disa muaj më pas, Ançelotit i vendosën nën urdhra "të shuarin" Bobo Vieri. "Zgjedhja e gabuar" - Karleto u përul përbri eprorëve të tij, por këtë verë shpresoi sërish t'i jepte një fanellë Krespos. Ose e pakta Ibrahimoviçit. Të dy sulmues që të shtunën i shënuan Milanit. Por ja që fanellën ia dha Oliveirës, i cili kushtoi dyfishin e parave që do të ishin dashur për Krespon. Kërcimi thuajse mitologjik i Krespos mbi shpinën e Inzagit në aksionin e golit, ai që e plagosi për vdekje ndeshjen dhe kampionatin e kuqezinjve, ka qenë metafora e pamëshirshme e zgjedhjeve të gabuara. Valdanito - Kur në orën 23.30 të 31 gushtit 2002, Krespo nënshkruante kontratën që e transferonte nga Lacio tek Interi, ai deklaroi me një buzëqeshje: "Tani dua t'i shënoj një gol në derbi mikut tim Nesta." Dhe ja që më në fund e bëri. Por që kjo të ndodhte, iu deshën të priste 4 vite dhe të shkonte e të vinte disa herë nga Anglia, përpara se ta shuante këtë dëshirë. Nuk kishte shënuar kurrë në një derbi, as në atë të Romës. E çuditshme, sepse e kaluara e tij karakterizohet nga një ecuri prej luftëtari të apasionuar derbesh. Raul Kuiroga, i quajtur Piki, magazinieri i River Plejtit, e ruan ende foton e një goli që "Valdanito" i shënoi Bokës. Paula, motra e Hernanit, kur erdhi ta shikonte të vëllanë në Parmë, tha: "Në Tardini, zotërinjtë duartrokasin si të ishin në teatër dhe gratë vijnë për të ekspozuar veshjet e bukura. Hernani ka nevojë për një stadium më të madh, më të nxehtë, si ai i Riverit." Si në "San Siro", kur luhet derbi. Derbi, të cilin Krespo e ndezi pas 17 minutash. Ai festoi pa siklet se ishte një "ish", edhe sepse ata "ishët" nuk bënë ndonjë sakrificë për ta mbajtur: "S'kisha si të mos festoja në një ndeshje të tillë. Ky është Interi. Fituam ndaj një skuadre të madhe, është një fitore që do të jetë përcaktuese për titullin. Ndihemi të shtrydhur dhe dhamë shpirtin, por nuk dua të mendoj për Moskën. Është e drejtë që tani të shijojmë këtë triumf. Nuk kreva asnjë hakmarrje, por i pranoj komplimentet e Berluskonit." Ai pak më parë kishte thënë: "Ah, sikur të kishte qenë me ne."