Skuadra e kategorisë së tretë, Badalona, do të presë Barcelonën "e tërbuar" pas dy humbjesh radhazi për 1/16-t e Kupës së Mbretit. Skuadra e Frenk Rajkardit u mund 1-0 nga Çelsi në Ligën e Kampioneve dhe 2-0 nga Reali, të dielën në "El Klasiko". Eshtë e sigurt që trajneri holandez do të përdorë rotacionin në takimin e sotëm, duke parë se 90 minutat e kthimit do të luhen në "Kamp Nou". Një nga futbollistët që me siguri do të pushojë, është Lionel Mesi. Badalona, edhe kjo skuadër nga krahina e Katalonjës, është eliminuar nga Barcelona, 24 herë fituese e Kupës së Mbretit, në të njëjtin raund të dy viteve më parë. Rajkardi - Trajneri i Barcelonës, Frenk Rajkard, e ka ftuar skuadrën e tij ta marrë seriozisht ndeshjen e sotme: "Po punojmë mirë dhe pavarësisht nga dy humbjet, jemi në formë. Këtë duhet ta tregojmë me një fitore ndaj Badalonës. Eshtë mënyra më e mirë për të harruar disfatat në Londër dhe Madrid. Skuadra duhet të japë maksimumin, pavarësisht nga emri i kundërshtarit." Holandezi është i bindur se skuadra e tij mund ta fitojë Kupën e Mbretit, por kjo nuk do të thotë që do të heqë dorë nga rotacioni: "Kemi një skuadër me një përbërje të larmishme, 18 deri në 20 futbollistë, te të cilët mund të besoj për çdo ndeshje. Eshtë normale që ata që kanë luajtur dy takime radhazi, mund të pushojnë. Kjo nuk do të thotë që e nënvlerësojmë këtë veprimtari. Pikërisht përbërja e skuadrës na jep mundësi të luftojmë në tri fronte." Ronaldinjo, Deko, Markez dhe Turam janë disa nga futbollistët që do të pushojnë, duke parë sfidën e së shtunës në kampionat ndaj Santanderit dhe atë të së martës së ardhshme në "Kamp Nou", përballë Çelsit. Reali - Por kjo nuk do të jetë përballja e vetme ndërmjet "të mëdhave" dhe "amatorëve". Skuadra tjetër e divizionit të tretë, Ekija, do të presë Realin e Madridit. Edhe këtu rreziku është i lartë, pasi "merengesit" vijnë pas dy fitoresh radhazi dhe s'kanë ndër mend të ndalen. Gjithsesi, zv.presidenti i Ekijës, Rafael Gordilo, premton: "Do t'i vëmë në presion. Eshtë më e shumta që mund të bëjmë. Duam që Reali të djersijë njësoj si ne në fushën e lojës." Reali i Madridit nuk e fiton Kupën e Mbretit që nga viti 1993. Të tjerat - Ndërkohë, Valencia, e cila kryeson kampionatin me pikë të barabarta me Barcelonën, do të luajë në fushën e Portuenses, edhe kjo skuadër e kategorisë së tretë. Ndërsa surprizat e deritanishme, skuadrat e kategorisë së katërt, Penja dhe Segoviana, do të presin respektivisht Osasunën dhe Seviljen. Espanjoli, fituesi në fuqi i kësaj veprimtarie, do të luajë me Vajekanon e kategorisë së tretë. Katër nga 16 sfidat do të jenë ndërmjet skuadrave të Primera Divizionit. Spikat derbi i Andaluzisë, ku Rekreativo, që renditet në vendin e katërt, do të presë Betisin. Ndeshjet e kthimit do të luhen më 6 nëntor.
Informacione eshte marre nga gazeta sporti shqiptar