Me Adrianon që do të pushojë të paktën 1-2 javë në Brazil, në përpjekjen për t'u riaftësuar në aspektin psiko-fizik, pas paraqitjes së mirë në Champions ndaj Spartakut, Alvaro Rekoba është gati të tregojë vlerat e tij. Pas lavdeve të Moratit dhe me Mançinin që vazhdon ta motivojë, "El Çinoja" ka theksuar: "Nuk kam qenë asnjëherë kaq i motivuar, nuk ndihem inferior ndaj askujt." Një gjeni "dembel", por tani është gati të fillojë rizgjimin për të qenë i vlefshëm për skuadrën për t'i treguar më në fund diçka presidentit dhe trajnerit të tij. Rekoba, Morati dhe Mançini, tri fate që kryqëzohen në momentin për të administruar emergjencën e Adrianos, i trishtuar, i zhgënjyer dhe fizikisht i rënë. Periudha e pushimit të brazilianit liron hapësira të reja për Rekobën, i cili është gati të përfitojë nga rasti për t'i treguar se sa vlen Roberto Mançinit, shokëve dhe tifozëve, sepse cilësitë e tij, shpesh të fshehura, duhet të dalin në pah. Atëherë, në pritje të riaftësimit të Krespos, uruguajani duket i motivuar: "Nuk kam nevojë të karikohem, - thotë sulmuesi 30-vjeçar. - Ajo që më duhet, është vetëm besimi dhe vazhdimësia, nëse i meritoj pa dyshim. Ndeshja ndaj Spartakut? Ishte sikur më zgjuan nga një ankth i gjatë, kam punuar shumë dhe nuk jam dorëzuar as pas dëmtimit të disatë muskular." Roberto Mançini e ka vlerësuar për mjeshtërinë e tij në fushë dhe të majtën e pakapshme: "Është e vërtetë, - shton Rekoba. - Unë besoj se mund të luaj në një klub të madh si Interi dhe nëse jam mirë fizikisht, nuk i druhem askujt." Për 10 vitet karrierë të ikur kot, "El Çinoja" shpjegon: "Nuk kanë qenë vite të ikura kot, përndryshe nuk do të kisha qenë një pikë referimi për futbollin uruguajan. Ndoshta më është dashur kohë të kuptoja mendësinë ultra-profesioniste tipike të futbollit europian dhe italian." Në fund, Rekoba bën një urim: "Të jem më në fund mirë dhe të gaboj 4-5 ndeshje radhazi", që do të thotë se do të ketë luajtur me njëfarë vazhdimësie.