Members Login
Username 
 
Password 
    Remember Me  
Post Info TOPIC: Sfida e re e Amit


WebMaster

Status: Offline
Posts: 366
Date:
Sfida e re e Amit
Permalink   





  


Nga balerinë, në një prej ikonave më të preferuara televizive. Për të arritur deri këtu, Amarda Toska i ka ngjitur shkallët një e nga një. Për t’u përballuar pak nga pak me kureshtjen, vëmendjen, sfidat. Së fundmi edhe me thashethemet për lidhjen e saj, që ka plotësuar tërësisht detajet e një jetë prej protagonisteje në qendër të vëmendjes


Drita që spikaste brenda një grupi është sidoqoftë e largët para ndriçimit të fortë të një ylli që shkëlqen vetëm. Amarda Toska  mund të shërbejë si shembulli më i mirë për ta treguar këtë në hapësirën e televizionit, po aq të mbushur me yje e po aq të ndjekur nga sytë e njerëzve. E aty, ajo tashmë ndihet si zonjë shtëpie. Jo më në grupin e baletit, por me kornizat e një imazhi. E re, e bukur dhe e talentuar, ka arritur t’i bindë të gjithë, përfshirë dhe veten, se të nisësh një aventurë televizive mund të jetë rastësore, por ta vazhdosh atë dhe të bëhesh protagoniste nuk është gjë e rastit. Dhe provën Ami e ka dhënë në një nga spektaklet më të ndjekur, në “Portokalli”, ku rilindi me përmasat e një ikone televizive e dhe u pagëzua me emrin “Ami e Portokallisë”. Dhe që atëherë, ajo me protagonizmin duket se janë polarizuar me një plus minus magjik. “Loja 18” ishte takimi televiziv i çdo mbrëmjeje, ku askush nuk e kuptoi se prezantuesja sapo kishte mbyllur një sezon të gjatë në spektaklin e humorit dhe studentja e psikologjisë ishte në sezon provimesh. Në të vërtetë, një eveniment si Kampionati Botëror i Futbollit tërheq vëmendjen jo vetëm të tifozëve të çmendur, por dhe të atyre që më parë nuk kanë parë një ndeshje me interes, ashtu si ishte Ami. E meqë ajo pranon se ndihet mirë me çdo gjë që bën në skenë, nga baleti te prezantimi, edhe një eksperiencë e re në një talk shoë si “Loja 18”, nuk kishte si të mos i hynte në zemër. “Ishte një përvojë e lodhshme, por e bukur në të njëjtën kohë. Mora  informacion, por dhe u takova me shumë njerëz të njohur që ishin të ftuar”. Kampionati ka shumë surpriza dhe kthehet në qendër të vëmendjes. Dhe Ami ishte aty… Të mendosh pak për angazhimet e saj në periudhën e lënë pas, shkolla, provat, vetë spektakli, e pastaj ajo që mund të bëhet në pjesën e mbetur të ditës, mund ta kuptosh lehtë dëshirën e ethshme për pushime. Të paktën familja, si gjithmonë, e ka mbështetur dhe ka bërë maksimumin, që mbi të, të mos bjerë asnjë ngarkesë tjetër veç atyre profesionale, por gjithsesi lodhja ka pasur plot shtigje për të mbërritur te ajo. Pushimet tashmë i ka nisur dhe ka në projekt dhe të tjera ditë në vende të ndryshme. Dëshira për të pushuar në të vërtetë nuk i mungon askujt, por Amarda vërtet i meriton. Aq më tepër që jeta në Tiranë  bëhet ndonjëherë ca si e vështirë dhe e mërzitshme për të. Vetëm ajo me famën e saj do të ishte mjaftueshëm për të tërhequr vëmendjen e të gjithëve e jo më kur  kjo vëmendje dyfishohet për shkak të një njeriu tjetër të njohur dhe e gjithë kjo shumëfishohet sërish me kërshërinë që ngjall një histori dashurie, siç është ajo që po jeton Ami me Ermal Mamaqin. Ata janë një nga çiftet që është përpjekur më shumë për ta mbrojtur lidhjen  e tyre nga kureshtja e medias dhe njerëzve të tjerë, si diçka e çmuar dhe personale, që do ta mbash brenda një globi. Po kur personazhet janë të njohur, ky glob është me të vërtetë prej qelqi. Sa do të përpiqesh, nuk i shpëton dot as syve të kokave që kthehen dhe as bliceve të aparateve fotografikë. Herët a vonë do të merrej vesh. Këtë e dinin mirë dhe ata. “Komentin e ndezur rreth nesh donim ta neutralizonim sado pak, duke mos folur të paktën ne rreth kësaj historie, për të cilën nuk na pëlqen të bëjmë komente”, merr përsipër për të vetmen herë të flasë dhe në emër të partnerit, meqë duket se ky i tyre është një vendim “skuadre”. Një skuadër e vogël, por dhe e fortë, që i ka shpallur sfidë të hapur dhe të ndërgjegjshme medias në një lojë mjaft intriguese edhe për çiftin. Duke folur ata vetë, ndoshta të tjerët do kishin më pak mundësi për thashetheme, por Ami nuk e sheh këtë si një detyrim ndaj askujt. Ajo nuk i bindet ca teorive të rreme shpëtimtare, që në fund të fundit do kënaqin gjithë kërshërinë e të tjerëve, për diçka që është plotësisht e tyre. “Ne kemi zgjedhur mos të flasim. Duke qenë të dy të njohur, nuk i shpëtojmë dot interesit të tjerëve dhe këtë e dimë. Por nuk më vjen mirë kur lexoj të tilla shkrime aspak profesionale dhe ca telenovela të sajuara që shoqërojnë fotot tona, të cilat nuk kanë asgjë të vërtetë. Më vjen inat, por dhe për të qeshur në të njëjtën kohë”. Asaj i duhet të mësojë në gazeta fjalë të sajat, që nuk i ka thënë e të tjera si këto, që përveç saj i sheh dhe familja. Ata i lexojnë gazetat dhe revistat, që ajo i gjen pastaj mbi tavolinë. Ndonjëherë i duhet ta kapërcejë heshturazi jokomoditetin e njohur të prezantimit të nxituar të lidhjes në familje, për të cilin ka menduar media. Por lidhja me një artist, jashtë ndjenjave sigurisht që nuk sjell vetëm kokëçarje. Kështu, tani ajo ka një sy më të vëmendshëm kritik që e sheh dhe një njeri që e kupton më mirë. Ndërsa mënyra e jetës plot angazhime, por dhe lëvizje e shumë kontakte me njerëzit, në plan të parë mjaft stimuluese për xhelozitë e çdokujt, te Ami nuk sjell një shqetësim të veçantë. “Nuk kam aspak një xhelozi specifike që kushtëzohet nga profesioni. Ajo është në karakter dhe ka të bëjë me stërvitjen që çdo njeri i bën mendjes. Profesioni mund të jetë shtysë, por kjo ndjenjë, për mos të kaluar në ekstrem, mund të frenohet nga karakteri”, e përshkruan me lehtësinë dhe qartësinë e një psikologeje të ardhshme këtë kompleks ndjenjash që trazon shpesh qetësinë e një lidhjeje, por mesa duket jo të tyren. Ajo e shijon atë me natyralitetin me të cilin ka ardhur. “Kur dy njerëz pëlqejnë të rrinë bashkë, nuk duhet shumë për ta arritur këtë. Çdo gjë ndodhi në çastin dhe në vendin e duhur”. Ka ndërmend ta lërë të rrjedhë po natyrshëm, pa dashur të flasë para kohës për planet, që veç kjo e fundit i shndërron në realitet. Tani për tani mendja e lodhur i rreh vetëm te pushimet, të cilat këtë vit do t’i kalojë me shoqërinë dhe jashtë Shqipërisë. Vetëm ca udhëtime fundjavave brenda kufijve, sepse pushimet e vërteta i ka planifikuar në Mal të Zi, ku do shkojë disa herë dhe diku jashtë kontinentit. I shijoi pa masë disa ditë të kaluara në Budva dhe mezi pret të kthehet aty. Jo vetëm për çlodhjen që i dhuron natyra, por dhe lirinë që rrjedh nga fakti që s’e njeh askush. “Budva më pëlqen. Aty askush nuk kthen kokën dhe as tregon me gisht”. Pushimet ideale për të nuk do të thonë shpenzime të shumta. “Mjafton të ketë det dhe diell, muzikë e alegri, lëvizje e mbi të gjitha një shoqëri të mirë”. Edhe pushimet, që vjet i kaloi me familjen, janë përfshirë në ndryshimet që përjeton Ami, ashtu si dhe jeta në pjesën tjetër të vitit. “Megjithatë, njerëzit e ngushtë që më rrethojnë nuk kanë ndryshuar, kanë mbetur po ata. Ajo që ka ndryshuar është se kam mësuar të tregohem më pak e mirë për t’u mbrojtur nga padrejtësitë dhe nga ata që duan të më fusin në grackë. Kur sheh se jep shumë dhe asgjë nuk të kthehet, është më mirë të tregohesh më e ashpër, që mos të lëndohesh më vonë”. Tashmë ajo duket se di çdo gjë për të përballuar një jetë prej protagonisteje. Është sigurisht e ndërgjegjshme për imazhin e krijuar dhe nuk do që të abuzojë me të, qoftë dhe me një hap të vogël fals, që mund të rezultonte fatal. Ka dalë nga mburoja e një grupi baleti dhe tani ka në duar fatin e një figure ekrani që mban emrin e saj. E ndërtuar prej fatit, mundit, por dhe brishtësisë. Prej fatit, sepse te Amarda çdo gjë ka mbërritur vetë. “Krijimin e një figure individuale sigurisht e kam dashur, por jo aq fuqishëm sa të kthehej në objektiv. Të gjitha gjërat më kanë gjetur dhe nuk i kam kërkuar. Unë nuk jam një karrieriste në thelb, në kuptimin e atij egoizmi që i kalon kufijtë e normales”. Po sigurisht që kjo ka kërkuar talentin, punën dhe përkushtimin e Amardës, sepse askush, aq më pak në televizion, nuk të dhuron një vend që ty do të përkasë përherë. Dhe Ami e di mirë këtë. Ajo është përkushtuar për të mos lëkundur besimin e të tjerëve dhe për ta kryer mirë atë që, ndërsa për spektatorët është një element spektakli, për të është një detyrë. E gjatë këtij rrugëtimi, në çdo hap ka ndjerë mirënjohje për ata që i kanë qëndruar pranë, qoftë edhe për një fjalë të thënë. Edhe paraqitja duhet të jetë gjithmonë në lartësi, aq më tepër me rëndësinë e veçantë që ka në televizion, ku për të mbijetuar, si mendon ajo, nuk mund t’i besosh vetëm asaj që natyra të ka falur, por dhe asaj që ti di të japësh me aftësitë e tua. Dhe e gjitha kjo është e konsoliduar dhe e brishtë në të njëjtën kohë. “Jam munduar të krijoj një imazh të ekuilibruar dhe me sa duket të pëlqyeshëm. Nuk dua të provoj gjëra ndryshe, që do ma kërcënonin këtë figurë, siç kanë bërë disa të tjerë dhe kanë dështuar. Nuk dua të bëhem përsëritëse e këtyre gabimeve”. Bëhet fjalë që nga modeli i flokëve dhe deri te sjellja para kamerës. Ajo nuk dëshiron të eksperimentojë ndryshime të bujshme, që do ta tronditnin imazhin e krijuar. Është më shumë se e saktë në këtë vendim të sajin, sepse kështu çdo gjë ka shkuar shumë mirë. Atë e njohin dhe e pëlqejnë të gjithë. Prandaj nuk ka ndërmend të provojë në fusha të tjera, si kënga apo videoklipet, edhe nëse ato do të ishin të të dashurit të saj. Edhe pse ndonjëherë thonë me shaka atë që ndoshta dhe të tjerët pyesin veten “pse nuk bëjmë një këngë bashkë?”, kjo është vetëm një batutë mes tyre. Amarda e sheh veten jashtë videoklipeve, por edhe këngës. Angazhimet e saj i ka të përcaktuara mirë, janë ato që e kanë bërë të njohur. Baleti, për kënaqësinë e saj, sepse ajo asnjëherë nuk humbet rastin të kërcejë. Prezantimi, tashmë aftësi e afirmuar, mbetet për t’u rritur. Por mes këtyre aspiratave më e sigurta se çdo tjetër është viti i katërt i fakultetit, që pret në pragun e tetorit. Ai do t’i dhurojë diplomën e një dege që e pëlqen dhe në të ardhmen ajo dëshiron që të jetë profesioni i saj. Ky prag sjell dhe sezonin e ri televiziv dhe se si do të vijë Ami atëherë, është ende surprizë. Dhe po t’i shtosh kësaj edhe të qenit në faqet rozë të revistave dhe gazetave, që kanë trazuar jo pak privatësinë e saj, duket se për Amarda Toskën, sfida e re sapo ka filluar



__________________
none
Page 1 of 1  sorted by
 
Quick Reply

Please log in to post quick replies.

Tweet this page Post to Digg Post to Del.icio.us


Create your own FREE Forum
Report Abuse
Powered by ActiveBoard