Pas barazimit në Skoci me Gllazgou Rejnxhërsin, shumë i rëndësishëm për ecurinë në Ligën e Kampioneve, Milani përqendrohet te kampionati. Është një vend i katërt i gjithi për t'u arritur dhe Milani, para së gjithash pas ardhjes së Ronaldos, duket në gjendje për ta arritur këtë objektiv. Fitorja e javës së shkuar kundër Sienës ka nxjerrë në "dritë" një Ronaldo të shkëlqyer, autor i një dygolëshi kundër toskanëve. Kësisoj, Karlo Ançeloti shpreson në një përsëritje të paraqitjes së "Fenomenit". "Në Sienë, njerëzit mendonin se nuk ishte në formën e duhur, por ai shënoi dy gola, - shpjegon trajneri kuqezi. - Shpresoj të mund të shënojë edhe dy të tjerë sot në mbrëmje. Me kë do të luajë dyshe në sulm? Zgjedhja më e vështirë e imja është për lojtarin që duhet të luajë në krah të Ronit, sepse edhe Xhilardino, pasi ka luajtur në Gllazgou, është mirë. Nuk është një zgjedhje e lehtë, por duhet bërë. Inzagi nga ana tjetër është mirë, luajti edhe në ndeshje stërvitore të mërkurën me skuadrën e të rinjve. Gatuzo e Gurkuf janë shëruar, ndërsa për sonte nuk janë të gatshëm Maldini dhe Kalaxe. Në mbrojtje do të luajnë Bonera e Simiç, ndërsa në mesfushë kthehet i gatshëm edhe Sedorfi." Sampdoria nuk po përjeton një moment të mirë: pezullimi i Françesko Flakit, që ka dalë pozitiv me kokainë, ka qenë një telash i vërtetë për trajneri blukaltër, Novelino. "Sampdoria është një skuadër që e njohim mirë, - komentoi Ançeloti, - Novelino luan gjithnjë me të njëjtën skemë. Atyre do t'u mungojë një lojtar i rëndësishëm si Flaki, por kanë një tjetër edhe më të mirë si Kualjarela, që po zhvillon një kampionat të rëndësishëm. Kanë pasur ndonjë problem vazhdimësie, por kohët e fundit kanë marrë rezultate të mira dhe janë edhe ata për vendin e katërt. Çështja e Flakit sigurisht që u ka shkaktuar telashe, por për ta mund të jetë edhe një stimul." Një koment për momentin e Milanit. "Po marrim rezultate të mira, edhe pse loja s'është shumë ekzaltuese, por në Ligën e Kampioneve jemi kthyer të luajmë mirë, ndaj duhet t'i ekuilibrojmë të dyja gjërat, rezultatet e kampionatit dhe lojën në Europë." Kapitulli i fundit është për ecurinë e "kushërinjve" zikaltër: "Në kampionat Interi po bën gjëra të rëndësishme, përgëzime, por Championsi është tjetër gjë, është gjithnjë kështu. Megjithatë, besoj se Interi mund t'ia dalë me Valencian, ndonëse s'do të jetë e lehtë. Çështja "Adriano"? Do t'i kishte sistemuar gjërat, duke u bazuar vetëm tek ajo që shoh në stërvitje. Jetën private secili e bën siç e do, por ekziston një rregullore e brendshme e nënshkruar nga të gjithë lojtarët, në të cilën ka orare që duhen respektuar."
Dida, drejt Barçës në fund të sezonit? Ëndrra e ndaluar e Milanit nuk është një mister, quhet Ronaldinjo. Berluskoni e do me çdo kusht dhe prej muajsh ka nisur gjuetia për yllin brazilian. Por deri më sot Barcelona ka rezistuar mirë, duke iu shmangur çdo përpjekjeje për lojtarin. Një lëvizje që nuk i ka befasuar shumë katalanasit, që në pritje të "goditjes" janë hedhur në kundërsulm duke iu drejtuar Didës. E ardhmja e portierit dukej e shënuar prej kohësh. Çdo përpjekje e Milanit për të rinovuar kontratën ishte nënvlerësuar nga braziliani që dëshiron të kthehet në Brazil. Por interesimi i presidentit Laporta ia ka prishur mendjen Didës, që duket gati të largohet në fund të sezonit te Barcelona.