Trajneri i Realit, Fabio Kapelo, ka dalë dje përpara gazetarëve ku ka analizuar me gjakftohtësi derbin e Madridit, të barazuar 1-1 me Atletikon në "Santiago Bernabeu". Italiani nuk është shprehur euforik, por beson se skuadra e tij edhe mund të kishte fituar. "Don Fabio" përfiton nga rastin për të shuar "zjarrin" mes tij dhe Fernando Torresit. Loja e skuadrës. "Loja e skuadrës më pëlqeu në disa aspekte. Në përgjithësi, në këtë fillim sezoni, nuk më ka pëlqyer ndeshja e Lionit, ndërsa në të tjerat niveli ka ardhur në rritje. Javë pas jave po përmirësohemi. Jemi në rrugën e duhur. Në ndeshjen e fundit ndaj Atletikos patëm probleme në 30 minutat e para, sepse mbrojtja dhe mesfusha ishin nën një presion të vazhdueshëm. Pati gjëra që më pëlqyen dhe të tjera, jo. Atletiko bëri një ndeshje të mirë, por edhe ne patëm raste për ta mbyllur ndeshjen. I shkuam tri herë pranë golit, edhe pse mbetëm me dhjetë futbollistë në pjesën më të madhe të 45 minutave të dyta." Çështja Torres. "U duk qartë që Torresi e ekzagjeroi rënien, sepse pati faull, por Serxhio Ramos nuk bëri asgjë për të merituar kartonin. Edhe kur isha në Itali, jam ankuar shpesh për simulime të tilla. Sidomos për ato raste kur një kundërshtar shtiret si i dëmtuar dhe të detyron të ndërpresësh aksionin, duke e nxjerrë topin jashtë. Nuk desha ta ofendoj Torresin, por nuk ka as pse t'i kërkoj falje, pasi jam ende i mendimit se Serxhio Ramos u bë pre e sulmuesit të Atletikos. Fernando bëri diçka që e ndihmoi dukshëm skuadrën e tij, por duhet ta pranojmë se në futboll koncepti i kartonit të kuq është shumë larg asaj që bëri Serxhio Ramos. Formacioni. "Deri tani kemi qenë me fat, pasi nuk kemi pasur shumë të dëmtuar. Në të vërtetë, Sisinjo dhe Salgado na kanë lënë një boshllëk në krah të djathtë, por Ronaldo po kthehet dhe skuadra ndeshje pas ndeshjeje po gjen ekuilibrat në fushën e lojës. Nga ana tjetër, nuk mund të fus më shumë se 11 futbollistë në fushën e lojës, por një pjesë e mirë e atyre që nuk janë aktivizuar në këtë periudhë, do të kenë mundësi të luajnë me kombëtaret e tyre të shtunën dhe të mërkurën." Ronaldo dhe Emerson. "Roni po punon shumë mirë. E rëndësishme është që gjuri nuk i jep shqetësime dhe kjo do ta ndihmojë që në ndeshjet e ardhshme të arrijë perfeksionin. Emerson? Pas debatit për aktivizimin e Raulit si titullar, tani ka nisur ky për Emersonin. Rauli ia dha përgjigjen në fushë dhe të njëjtën gjë do ta bëjë edhe braziliani." Pas 10 vitesh... "Futbolli është ndryshe, gjithçka ka ndryshuar. Si në jetë, ashtu edhe në sport gjërat zhvillohen. Për shembull, dhjetë vjet më parë nuk ekzistonte marketingu në futboll, tani të gjitha skuadrat e shfrytëzojnë për të fituar paratë që duhen për të ndërtuar një skuadër të fortë. Një gjë që nuk ka ndryshuar, është kritika, gjithmonë gati për të sulmuar."
__________________
none
Page 1 of 1 sorted by
TiRaNaWeB.NeT -> Sporti -> Primera Divizion: Kapelo tregon per realin fitues...