Policia greke s'bën publikë emrat. Largimi nga qelitë e Poligjiros
Tre shqiptarë arratisen nga burgu
Greqi, prenë hekurat me sharrë dhe u zhdukën
Një arratisje spektakolare ka ndodhur dy ditë më parë në Greqi, ku protagonistë janë tre shqiptarë. Emrat e tyre nuk janë bërë publikë, por ishin të arrestuar kohët e fundit dhe akoma nuk ishin dënuar, pasi akuzoheshin "për vjedhje". Prej më shumë se 24 orësh, vazhdon operacioni i policisë greke në Greqinë e Veriut, për arrestimin e tre të burgosurve shqiptarë, të cilët u arratisën dje në orët e para të mëngjesit nga burgu i Poligjiros të Halkidhikisë, 60 kilometër larg Selanikut. Sipas policisë rajonale të gadishullit turistik grek, tre shqiptarët mbaheshin në një qeli, të akuzuar për vjedhje të ndryshme dhe iu ishte dhënë dënim i përkohshëm deri në datën e daljes në gjyq (arrest me burg pa afat). Arratisja e tyre kishte disa ditë që ishte organizuar, madje, të burgosurit shqiptarë kishin siguruar dhe një send metalik, ndoshta sharrë hekuri. Pas disa orësh punë në fshehtësi, ata kanë mundur të presin njërin prej hekurave të dritares së qelisë dhe duke përfituar nga mjegulla e nga errësira e natës, u zhdukën në drejtim të paditur. Asnjë nga gardianët nuk ka vënë re arratisjen tyre dhe kjo është marrë vesh vetëm nga një gardian, i cili herë pas here kontrollon qelitë, apo çfarë ndodh brenda tyre. Ai ka mbetur i habitur kur ka parë qelinë bosh të tre shqiptarëve dhe menjëherë ka vënë re dhe hekurin e këputur të dritares së vogël. Menjëherë ai ka dhënë alarmin, nga i cili ka nisur dhe operacioni për kapjen e tyre. Bëhet fjalë për tre shqiptarë me moshë nga 25 deri në 28 vjeç, emrat e të cilëve nuk janë publikuar ende nga policia greke. Sipas një skenari të mundshëm, tre të arratisurit ndoshta kanë pasur bashkëpunëtorë, të cilët i prisnin me makina pas godinës dhe murit rrethues të burgut dhe në këtë mënyrë, kanë bërë të mundur të humbin gjurmët pas largimit nga qelia. Arratisja e fundit shënon rastin e dytë të largimit të shqiptarëve nga burgjet greke. Më spektakolarja ishte arratisja e shqiptarit nga Mallakastra, Alket Rizai. Ai u largua me helikopter nga burgu i Koridhalis në Greqi, më 4 qershor të këtij viti. Ai u arratis bashkë me një të burgosur tjetër, Vasilis Paleokostas, vëllai i Nikos Paleokostas (Fantomasi i Greqisë), duke hipur në bordin e një helikopteri. Arratisjen e kishte organizuar Nikos, i cili kishte marrë peng një helikopter të një agjencie turistike, pasi e kishte prenotuar më parë. Rizai ishte arrestuar dhe dënuar për vrasjen e një greku, vetëm për t'i marrë të dashurën ruse. Por, liria e tij ka zgjatur vetëm pak muaj, pasi dy javë më parë ai u arrestua në banesën e një kushëriri të tij. Pak ditë më mbrapa, në pranga përfundoi dhe Nikos Paleokostas, i kërkuar nga Drejtësia greke prej 16 vjetësh për disa vepra të rënda penale.